Është prezantuar sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtori i ri, Drejtues Madhor, Ardi Veliu.
Gjatë fjalimit për marrjen e detyrë së re, Veliu ka nënvizuar nevojën për ritëm të ri dhe ristrukturim në Policinë e Shtetit, për përmbushjen e objektivave që ka vendosur qeveria.
“Në respekt të të gjithë brezave të policisë shqiptare. Në emër të gjithë punonjësve të policisë të vendosur për garantimin e qetësisë publike. Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua. Sot më është besuar detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Çdo punonjës policie e ëndërron këtë post. Dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar edhe unë.
Kjo është një përgjegjësi të jap maksimunim tim për përmbushjen e misionit. Unë e di që nuk jam vetëm. Jam i vendosur të punoj me përkushtim për të përmbushur të gjitha objektivat e vëna nga qeveria shqiptare. Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik, për të qenë më rezultative. Ka nevojë për një ristrukturim të efektshëm. Për menaxhim më efektiv të burimeve njerëzore”, u shpreh Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
KUSH ËSHTË ARDI VELIU:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues Ardi Veliu, ka lindur në 2 Mars të vitit 1972 në Delvinë. Eshtë i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Nga viti 1987 deri në vitin 1991, kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”.
Nga viti 1991 deri në vitin 1993 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë.
Nga viti 1993 deri në vitin 1994 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Tiranë.
Nga muaji Janar i 1994 deri në Qershor 1998 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Ankara – Turqi.
Krahas këtyre studimeve, diplomohet edhe në Fakultetin e Manxhimit të Biznesit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, studime të cilat i kreu në vitet 2003 -2007 pa shkëputje nga puna.
Eshtë diplomuar gjithashtu edhe në Bachelor Fakulteti Juridik.
Ka përfunduar një sërë kursesh profesionale trajnuese të organizuara nga Pameca, ICITAP dhe OSBE brenda dhe jashtë shtetit, si, në Hungari, SHBA, Poloni, Itali dhe Akademinë e Sigurisë, Tiranë;
Ka përfunduar kursin 8–javor pranë qendrës ILEA, Budapest, organizuar nga ICITAP.
Është një njohës i mirë i gjuhës Turke dhe Angleze.
Karriera profesionale:
Komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë (1998-1999)
Shefi i Policisë së Rendit, Vlorë (1993-2002)
Shefi i sektorit të “Policisë me Uniformë”, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2002-2004)
Shefi i sektorit të Rendit, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2004-2006)
Shefi i komisariatit të Policisë, Durrës (2013-2014)
Zëvendësdrejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Tiranë (2014-2015)
Drejtor i Kolegjit te Policise (Shkolla Bazë e Policisë) 2015 -2016
Drejtor i Policise Rrugore ne Drejtorine e Policise se Shtetit 29.07.2016 – 27.04.2017
Nga data 28.04.2017 Drejtor i Drejtorise Vendore te Policise Tirane.