Debatik Curri i pafat. Mbrojtësi i Flamurtarit ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë seancës së fundit stërvitore në Slloveni dhe do të mungojë në fushën e blertë për rreth 3 muaj. 30-vjecari është dëmtuar pas një përplasjeje në lojë me Telushin dhe stafi mjekësor ka konstatuar thyerjen e kockës së kërcirit poshtë gjurit në këmbën e djathtë.
Në këtë mënyrë mbrojtësi e ka patur të domosdoshme ndërhyrjen kirurgjikale dhe është drejtuar menjëherë drejt Turqisë ku ka kryer operacionin në një nga klinikat e specializuara.
Në këtë mënyrë Curri i cili firmosi këtë verë me Flamurtarin pritet të humbasë pothuajse gjysmën e sezonit të ri. Lajmi është një goditje për planet e trajnerit Levi por akoma dhe më i rëndë në aspektin personal për Debatik Currin i cili ka patur një karrierë të kushtëzuar nga dëmtime afatgjata edhe gjatë periudhës kur luante në Turqi me Genclerbirigli, si dhe më pas në kampionatin ukrainas.ss