Dy protesta janë paralajmëruar për të hënën në mbështetje të Oliver Ivanoviçit dhe Dragan (Dragolub) Delibashiçit, me kërkesën që ata të lirohen dhe të mbrohen nga liria.
Njëra protestë do të mbahet në orën 10:00 para Gjykatës në veri të Mitrovicës, ndërsa protesta tjetër në mesditë në Prishtinë, para selisë së EULEX-it. Me protestë do të kërkohet lirimi i Ivanoviçit dhe Delibashiçit dhe mbrojtja e tyre nga liria.
Ata janë të vetmit nga grupi prej pesë serbëve, të cilët janë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, me akuzën për krime të luftës të kryera në prillin e vitit 1999 në jug të Mitrovicës dhe për vrasjen e 10 shqiptarëve, plagosjen e 25 të tjerëve, keqtrajtimin e mbi 90 shqiptarëve dhe dëbimin nga banesat dhe pronat e tyre në veri të Mitrovicës, të mbi 12 mijë shqiptarëve, të kryera me 3 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, të cilët kanë mbetur në dhomat e paraburgimit, të paktën edhe për dy muaj të tjerë, pasi që trupi gjykues i EULEX-it ua ka vazhduar paraburgimin deri më 6 tetor.
Mediat serbe kanë thënë se protestat në Mitrovicë dhe në Prishtinë i organizojnë vetë qytetarët, intelektualë, shkrimtarë, gazetarë dhe familjarë të Ivanoviqit e Delibashiqit, në mbështetje dy serbëve, për të cilët do të kërkohet që të lirohen dhe të mbrohen nga liria, siç ka qenë rasti me tre serbët e tjerë të këtij grupi, Ilija e Nebojsha Vujaçiç dhe Aleksandër Llazoviç, shkruan ‘Zëri’.
Oliver Ivanoviqit, lideri të SDP, i ofrojnë mbështetje të fuqishme i gjithë publiku i Serbisë, qeveria dhe kreu i shtetit serb, ndërkaq për kolonelin e pensionuar të MUP-it serb, Dragan Delibashiç, nuk ka pothuajse asnjë interesim, ndërkohë dëshmitarët e deritashëm e kanë identifikuar Delibashiçin, si njeriun që bashkërisht me Ivanoviqin ka komanduar grupet e serbëve për t’i vrarë shqiptarët, plagosjen, keqtrajtimin dhe dëbimin e tyre nga veriu i Mitrovicës.