Të dielen do të mbajë mot kryesisht me diell, e në fillim të javës mot pjesërisht i vranët dhe i nxehtë. Nga mesi i javës pritet rritje e vransirave, e në orët e pasditeve dhe mbrëmjeve mundësi për reshje lokale shiu dhe bubullima. Temperaturat maksimale do të sillen nga 31C deri në 33C.
8.08.2015 – Vendi ynë ndodhet ndërmjet ndikimit të një zone ciklonike që është e stacionuar në pjesën jugore të rajonit tonë dhe që po sjell zhvillime të shtrëngatave me shi dhe një anticikloni që ndodhet mbi Europën lindore që po sjell mot stabil në atë pjesë të kontinentit. Të dielen, në vendin tonë pritet të mbajë mot kryesisht me diell, e gjatë fillimit të javës së ardhshme mot pjesërisht i vranët. Temperaturat maksimale do të sillen nga 31C deri në 33C, e ato minimale nga 14C deri 16C. Era do të fryejë nga verilindja 1-3m/s.
Nga Atlantiku një ciklon ka filluar të depërtojë në perëndim të kontinentit, e që ditëve të ardhshme do të depërtojë edhe në Mesdhe, e nga dita e mërkurë do të lidhet me zonat ciklonike në jug të rajonit, ku për rrjedhojë do të sjellin rritje të vransirave dhe mundësi për reshje lokale shiu. Në vendin tonë, nga dita e mërkurë dhe e enjte gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes vende-vende priten mundësi për reshje lokale shiu, të cilat do të shoqërohen edhe me ndonjë bubullimë. Temperaturat nuk do të pësojnë ndonjë ndryshim, ato maksimale do të lëvizin nga 31C deri në 32C, e ato minimale nga 16C deri në 17C. Era do të fryejë nga verilindja 3-6m/s.