Luis Enrique merr përsipër përgjegjësinë për disfatën e hidhur në “San Mames”. Trajneri i Barcelonës e pranon se rotacioni që bëri në skuadër ishte vendimtar për humbjen 4-0 duke theksuar se ndryshimet ishin të nevjshme pasi pak ditë më parë ekipi luajti 120 minuta kundër Sevillas në Gjeorgji për Superkupën e Europës.
“Kjo humbje dhemb shumë. Tre ditë më parë luajtëm në Gjeorgji për Superkupën ndaj Sevillas, por nuk duhet të justifikohemi sepse kalendari është ai që është”.
Për takimin e kthimit, 45-vjeçari i ushqen me shpresa tifozët e tij, duke lënë të kuptohet se kthimi i këtij rezultati do të jetë shumë i vështirë.
“Asnjëherë nuk kem luajtur ndeshje të lehta kundër Athletic Bilbaos. I uroj për fitoren por të hënën do të jetë një atmosferë tjetër. Kjo ishte vetëm pjesa e parë dhe nëse ka një skuadër që mund ta kthejë këtë rezultat në favor ajo është Barcelona”.
Një humbje që rëndon edhe mbi moralin e lojtarëve katalanas të cilët duhet të tregojnë një tjetër fytyrë në ndeshjen e kthimit. Andres Iniesta është shprehur optimist, duke theksuar se ekipi do të bëjë gjithçka në “Camp Nou” për të korrigjuar gabimet e sfidës së parë.