Një grup peshkatarësh turq pretendojnë se roja bregdetare greke ka fundosur një gomone me emigrantë që po udhëtonte në drejtim të Greqisë.
Në një video që pretendohet se është xhiruar nga një prej peshkatarëve, një zë thotë se njëri prej rojeve bregdetare kishte diçka si shtizë në dorë.
Fillimisht duket mjeti lundrues që i afrohet gomones, por kamera ka lëvizur dhe nuk është e qartë se çfarë ndodh.
Por më pas tregohet mjeti që largohet dhe refugjatët sirianë në ujë. Pavarësisht pretendimeve të peshkatarëve, pamjet nuk tregojnë qartë shenjat dalluese të varkës.
Rreth 50 persona që besohet se janë me origjinë siriane mendohet se kanë qenë mbi gomonen e cila u fundos në afërsi të provincës Izmir në detin Egje.
Raportimet tregojnë se peshkatarët dhe roja bregdetare turke i shpëtoi ata që ishin në bord dhe i dërguan në bregun turk. Zyrtarët grekë nuk e kanë komentuar ende videon.