Stoli i Përfaqësueses se 21-vjeçarëve kalon në duart e Redi Jupit.
Në këtë mënyrë ish-futbollisti i kombëtares që aktualisht mbulonte rolin e shefit të zyrës së zbulimit talenteve në Federatën Shqiptare të futbollit do të zërë vendin e lënë vakant nga largimi Skënder Gegës drejt Kuvajtit.
Sfida e radhës për këtë përfaqësuese po afron pasi takimi i ardhshëm në kuadër të eliminatoreve të Europianit, i cili do të mbahet në Poloni në vitin 2017, do të zhvillohet më 3 shtator përballë Izraelit dhe kjo ka bërë që drejtuesit e Federatës të vendosin pa humbur kohë për pasuesin e Gegës në timonin e kuqezinjve të vegjël.
Redi Jupi ka provuar edhe më parë të ulet në stol, kur drejtoi për pak kohë Dinamon në vitin 2006, megjithatë drejtimi i përfaqësueses “shpresa” mund të konsiderohet eksperienca më rëndësishme e 41-vjeçarit në pankinën e një skuadre futbolli.
Ndërkohë që Altin Lala nuk do të jetë më trajner i 19-vjeçarëve, pasi në vendin e tij është emëruar një tjetër ish-lojtar i përfaqësueses, bëhet fjalë për Arjan Bellain.
Drejtuesit e Federatës Shqiptare kanë menduar që alternativa më e mirë e mundshme pas largimit me dëshirë të Lalës, ishte pikërisht ndihmësi i tij, pasi Bellai në këtë periudhë mbulonte pikërisht këtë post tek 19-vjeçarët.
Tashmë është e konfirmuar që Redi Jupi dhe Arjan Bellai do të jenë respektivisht trajnerët e kombëtares së 21-vjeçarëve dhe asaj të 19-vjeçarëve.