Ministria e Brendshme gjermane publikoi një video me pamjet filmike qe tregojnë sesi emigrantët nga Ballkani kanë shumë pak shanse për të fituar azil në Gjermani dhe rrezikojnë të faturohen edhe për koston e kthimit.
Kjo video është publikuar me qellim për të ndaluar fluksin e aplikantëve për azil nga Evropa juglindore.
Në vetëm katër minuta, videoja i dedikohet Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë dhe rrëfen sesi emigrantët ulen në autobuzin e policisë, ku më pas transportohen drejt aeroportit për t’u kthyer në shtëpi. Zëri që shoqëron pamjet filmike u bën thirrje njerëzve të kenë kujdes:
“Mos i besoni premtimeve që ju mund të merrni azil për arsye ekonomike në Gjermani, apo të tjerë stimuj që ju shtyjnë të merrni këtë vendim. Sepse nëqoftëse dëboheni do të merrni me vete edhe faturën për të mbuluar shpenzimet. Mos shkatërroni financiarisht as veten tuaj, as familjen tuaj për t’u “TRAFIKUAR” në Gjermani. Kontribuoni në mënyrë aktive për të ndërtuar atdheun tuaj ekonomikisht; duke përdorur njohuritë dhe aftësitë tuaja atje”.